Sindroma e vezoreve policistike (SVPC) është një çrregullim hormonal relativisht i shpeshtë që shkakton një numër simptomash të ndryshme te femrat e moshës riprodhuese. E zakonshme për të gjitha gratë me SVPC është një çrregullim i ciklit menstrual, mungesa e ovulacionit, shfaqja e akneve dhe prania e hormoneve mashkullore në sasi të tepruar. Rritja e prodhimit të hormoneve mashkullore në vezore te SVPC i paraprin rritjes së tepruar të qimeve në pjesët e trupit karakteristike për meshkujt, e që njihet si hirsutizëm
Është emëruar kështu për shkak të gjetjes së vezoreve të zmadhuara që përmbajnë cista të shumta të vogla (vezore policistike). Edhe pse shumica e grave me SVPC kanë vezore policistike, disa femra të prekura nuk e kanë këtë simptom.Për shkak të mungesës së ovulacionit, gratë me SVPC kanë nivel të ulët të hormonit progesteron. Kjo mund të rezultojë me stimulimin e rritjes së endometrit, duke çuar në gjakderdhje disfunksionale nga mitra dhe, ndonjëherë, gjakderdhje profuze. Stimulimi i zgjatur i endometrit në mungesë të prodhimit të progesteronit është një faktor rreziku për zhvillimin e hiperplazisë endometriale dhe kancerit të endometrit.
Rezistenca periferike ndaj insulinës, e shoqëruar me nivel të lartë të insulinës në gjak, shtimi i peshës dhe obeziteti janë po ashtu simptoma të shpeshta të SVPC.Tabletat kontraceptive hormonale mund të përdoren për trajtim afatgjatë te gratë me SVPC që nuk dëshirojnë të mbesin shtatzënë. Kontraceptivët hormonalë përmbajnë si estrogjen ashtu edhe progestin. Këto tableta rregullojnë ciklin menstrual, e gjithashtu mund të zvogëlojnë hirsutizmin dhe aknet, e mund të zvogëlojnë edhe rrezikun e kancerit të endometrit.Femrat të cilat duan të mbesin shtatzënë mund të trajtohen me barnat të cilat përdoren për trajtimin e diabetit.Këto barna ndihmojnë organizmin t’i përgjigjet insulinës, por ato mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të androgjenëve dhe përmirësimin e ovulacionit. Rivendosja e ovulacionit mund të ndihmojë që periudhat menstruale të jenë të rregullta dhe më të parashikueshme.Për gratë që janë mbipeshë, edhe humbja e peshës mund të rregullojë ciklin menstrual.
Edhe një humbje e vogël në peshë mund të jetë e dobishme në rregullimin e menstruacioneve. Humbja e peshës gjithashtu përmirëson nivelin e kolesterolit dhe insulinës dhe lehtëson simptoma të tilla si rritja e tepërt e qimeve dhe aknet.Ovulacioni i suksesshëm është hapi i parë drejt shtatzanisë. Për gratë që janë mbipeshë, humbja e peshës mund ta realizojë këtë qëllim. Barnat për stimulimin e ovulacionit gjithashtu mund të përdoren për të shkaktuar ovulim. Ndërhyrjet kirurgjike në vezore mund të përdoren kur trajtimet e tjera nuk funksionojnë, por efektet afatgjata të procedurave kirurgjike nuk janë të qarta.