Koha më e favorshme për të pasur një fëmijë është mosha midis 18 dhe 35 vjeç. Në këtë moshë trupi juaj ka përfunduar rritjen e tij dhe zakonet e duhura dietike janë të përgatitura mirë për të ushqyer një fëmijë në zhvillim. Mirëpo, cila do qoftë mosha juaj, është e rëndësishme të kërkoni kujdes mjekësor sa më shpejt nëse mendoni se mund të jeni shtatzënë. Shenjat e shtatzënisë Shenja e parë më e zakonshme e shtatzënisë është vonesa e menstruacionit, megjithëse menstruacioni ndonjëherë mund të çrregullohet për shkak të sëmundjes, stresit ose një ndryshimi në stilin e jetës tuaj. Shenja të tjera të shtatzënisë mund të jenë gjinjtë e dhembshëm ose të butë, mundimet (nauzeja) dhe vjelljet, urinimi i shpeshtë dhe lodhja.
Por, nuk është e thënë të keni të gjitha këto shenja; mund të keni ndonjë ose të gjitha këto shenja – ose asnjë prej tyre. Trupi i çdo gruaje është unik dhe po ashtu edhe shtatzënia. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme për ju që të vizitoheni te mjeku, ose të shkoni në një klinikë sapo të dyshoni se mund të jeni shtatzënë. Testet e shtatzënisë Sa më shpejt të dini se jeni shtatzënë, aq më shpejt mund të filloni kujdesin e duhur për mbarëvajtjen e shtatzënisë. Prandaj, është e rëndësishme që të bëni një test shtatzënie sa më shpejt të jetë e mundur pasi të keni humbur menstruacionin e parë ose sa më shpejt që të mendoni se mund të jeni shtatzënë. Këto teste bëhen në një mostër të urinës suaj.
Për shkak se këto teste janë shumë të ndjeshme, lëvizja më e vogël, sasia e vogël e pluhurit në enë, ose kontrollimi i rezultatit shumë herët ose shumë vonë mund t’ju japë një përgjigje të gabuar. Shtatzënia mund të konfirmohet me ultrazë, nëse keni vonesë të menstruacionit prej 5 ditësh. Është një ide e mirë të shihni mjekun tuaj pavarësisht nga rezultati i testit që e keni bërë vetë.